Mundësitë e të mësuarit nëpërmjet përvojës, përfshirë këtu praktikën e punës, janë elemente kyçe për të eksploruar mundësitë e karrierës dhe të krijimit të kontakteve. ‘Ajo çka merret nga një përvojë varet, të paktën pjesërisht, nga ajo që ti jep!’
Disa këshilla se si të merrni maksimumin nga përvoja e praktikës së punës:
  • Tregoni iniciativë. Në rast se kërkohen vullnetarë për të kryer një detyrë, tregohuni të gatshëm të përfshiheni. Tregoni interes dhe entuziazëm në të mësuarit e materialeve të reja. Në rast se jeni në dijeni të nisjes së një projekti, pjesë e të cilit ju do kishit dëshirë të ishit, mos prisni që dikush të hapë thirrjen për vullnetarë. Vazhdoni dhe kërkoni të bëheni pjesë e tij. Dilni nga ‘zona juaj e rehatisë’ – dilni vullnetarë për projekte sfiduese që të kuptoni aftësitë tuaja dhe nëse mund të arrini të zhvilloni aftësi në ato fusha;

 

  • Tregohuni profesionalë. Lërini eprorit dhe të tjerëve të kuptojnë që ju e merrni rolin tuaj seriozisht. Veshja, oraret dhe përgatitja do të ndikojnë në suksesin e praktikës së punës suaj;

 

  • Mos kini frikë të thoni, ‘Nuk e di këtë’. Ndërsa punonjësit punësohen bazuar në aftësitë e tyre, shumica e eprorëve janë në dijeni të faktit se praktikantët kanë më shumë nevojë për trajnime. Shikojeni mundësinë si një shans për t’u trajnuar dhe për të zhvilluar aftësitë tuaja. Gjithashtu, inkurajoni eprorin tuaj të vërë në dukje dobësitë tuaja dhe pranoni kritikat duke treguar interes dhe jo vetëmbrojtje. Kjo është një mundësi të trajnoni veten, se si mund të mësoni nga të tjerët;

 

  • Jini krijues. Punëdhënësit i shikojnë praktikantët si ‘frymëmarrje e re’. Ju mund t’i ndihmoni duke sugjeruar zgjidhje për problemet e tyre. Ata dëshirojnë të dëgjojnë ide, por mos prisni, që secila prej këtyre ideve të mirëpritet;

 

  • Krijoni marrëdhënie. Praktikat e punës ju japin mundësi të njihni praktikantë të tjerë dhe punëdhënës. Përfitoni nga fakti i të qënurit ‘brenda’ një institucioni. Mundohuni të zhvilloni intervista joformale me stafin në departamente të tjera, që mund t’ju interesojnë. Sa më shumë individë të takoni në një institucion, aq më të larta janë shanset që të krijoni kontakte me ata që mund t’ju ndihmojnë kur të kërkoni punësim me kohë të plotë;

 

  • Bëhuni aventurierë. Provoni diçka të re: bëni kërkime mbi një profesion apo pozicion pune, të cilin nuk e keni konsideruar kurrë. Një mënyrë është të ndiqni të punësuarit që punojnë në departamentet dhe drejtoritë e ndryshme të institucionit. (Para se ta ndërmerrni këtë hap, do t’ju duhet të merrni lejen e eprorit 🙂 )