Kur një punëmarrës angazhon një praktikant, ai pret sjellje dhe qëndrim profesional. Kjo është e vërtetë, si në rastet kur praktika e punës është me pagesë; edhe në ato raste kur ofrohet në këmbim të përfitimit të përvojës profesionale. Praktikantët duhet të mbajnë parasysh se ata po vlerësohen, gjatë gjithë kohës. Po ju paraqesim disa rregulla të përgjithshme të sjelljes që duhen mbajtur mend:

  • Tregohuni të vëmendshëm ndaj rregullave, procedurave dhe pritshmërive që priten nga ju në orientim dhe trajnim;
  • Nëse ju jepet një libërth i punonjësit ose i praktikantit, lexojeni dhe mbajeni me vete për referencë;
  • Përgatituni për të punuar në orarin e paracaktuar të punës. Jini gjithmonë korrektë në kohë dhe mos u largoni më herët pa leje;
  • Nëse do të mungoni ose vonoheni, njoftojeni eprorin tuaj sa më herët të jetë e mundur. Edhe nëse keni dërguar një mesazh, vazhdoni të kontaktoni institucionin, derisa të keni folur drejtpërdrejtë me dikë lidhur me situatën tuaj;
  • Nëse ndiheni i pasigurtë në lidhje me kodin e veshjes, flisni me eprorin tuaj;
  • Tregohuni të vëmendshëm ndaj të gjitha formave të komunikimit. Përgjigjuni e-maile-ve me fjali të plota dhe lexoni hollësisht mesazhet përpara se t’i nisni. Përdorni gjuhë profesionale kur flisni në telefon;
  • Tregohuni të kujdesshëm kur flisni me punonjësit e përhershëm, veçanërisht kur ata sillen në mënyrë jo-korrekte. Shpesh, praktikantëve do t’iu duhet të tregojnë një nivel më të lartë profesionalizmi se disa punonjës të përhershëm me të cilët do të punojnë;
  • Evitoni thashethemet e zyrës dhe marrëdhëniet jo-korrekte me kolegët;
  • Trajtojini të gjithë në institucion me respekt, përfshirë edhe punonjësit administrativë, punonjësit e mirëmbajtjes dhe kolegët praktikantë;
  • Tregohuni profesionalë kur bëheni pjesë e aktiviteteve jashtë institucionit (pushime, konferenca dhe aktivitete sociale të institucionit).

Promovoni veten për punësim në të ardhmen

  • Njihuni si një performues i dalluar në punë;
  • Punoni shumë që të krijoni përshtypje të mira gjatë gjithë kohës, me qëllim që të tregoni potencialin tuaj për t’u punësuar në pozicione me kohë të plotë;
  • Mos kini frikë të bëni pyetje – do të tregojë që jeni i interesuar të mësoni dhe përmirësoni performancën tuaj;
  • Mbani dhe tregoni qëndrim pozitiv;
  • Bëni maksimumin për çdo detyrë që ju jepet. Edhe detyrat e vogla do të marrin vëmendje nëse janë kryer me përkushtim;
  • Mësoni nga punonjësit me përvojë me të cilët punoni dhe pranoni këshillat konstruktive;
  • Kërkoni për letër rekomandimi përpara se të mbyllni praktikën e punës, duke shfrytëzuar faktin se performanca juaj është akoma e freskët në sytë e punëdhënësit.

 

Informohuni mbi punëdhënësin

  • Gjatë pushimeve, drekës dhe kohëve me pak punë, pyesni kolegët mbi punën e tyre. Zbuloni se çfarë bëjnë ata në rutinën e tyre të ditës dhe çfarë pëlqejnë ose jo;
  • Mundohuni të kuptoni se çfarë kërkon institucioni kur vlerëson kandidatë për pozicionet me kohë të plotë;
  • Mund të merrni informacion të vlefshëm që mund ta përdorni në letrat e motivimit ose intervista në aplikimet e ardhshme për punë, në atë institucion ose institucione të ngjashme;
  • Mundohuni të njihni eprorët më të lartë në hierarki – ata mund t’ju japin një vështrim të vlefshëm mbi mënyrën e kryerjes së punës;
  • Kërkoni të bëheni pjesë e mbledhjeve (p.sh: mbledhjet e stafit, mbledhjet e departamentit), sepse kjo është një strategji e mirë për të mësuar mbi kulturën organizative të institucionit.

 

Krijoni rrjetin tuaj

  • Mblidhni kartëvizita – do t’ju duhen kur të jeni në kërkim të një pune me kohë të plotë;
  • Gjithmonë dërgoni e-maile/letra falënderimi atyre që ju ndihmojnë. Shkruajini një letër falënderimi eprorit tuaj, kur të mbaroni praktikën e punës;
  • Mbani kontakte me kolegët dhe eprorët, pasi të mbaroni praktikën e punës.