Përgatitja për karrierë

Praktika e punës është një “gjueti” e mijëvjeçarit të ri për punë. Studimet tregojnë se gjysma e të punësuarve të rinj kanë përvojë si praktikantë. Bizneset konkurrojnë për njerëz të aftë dhe inteligjentë, të cilët mësojnë shpejt. Shumë nga praktikantët i shfaqin këto cilësi pas diplomimit dhe punëdhënësit iu ofrojnë të qëndrojnë në institucion.

Kaq të famshme janë praktikat, duke shërbyer si portë për botën e punës, sa një e treta e studentëve kanë një ose më shumë përvoja të praktikave të punës në jetëshkrimet e tyre.

Pse praktikat e punës janë të famshme?

Arsyeja pse studentët i bashkohen praktikave të punës është e qartë: studentët tremben nga realiteti i ashpër i tregut të punësimit pas diplomimit. Një diplomë e vetme universitare nuk përkthehet më si mundësi për një punësim cilësor. Ekziston një fakt i ri: praktika e punës përbën një vlerë të shtuar në jetëshkrimin tuaj. Punëdhënësit ofrojnë mundësi për praktikat e punës, që të evitojnë gabime të kushtueshme në punësim; si dhe të sjellin energji e dinamika të reja në proceset e punës së institucioneve të tyre.

Si i jep shtysë karrierës praktika e punës?

  • Praktika e punës ju lejon të fitoni përvojë profesionale, në profilin e studimeve tuaja. Përgjatë viteve të studimit ju lexoni për punën, ndërsa në praktikë e kryeni atë. Të mësuarit sesi mund të aplikoni atë që keni mësuar gjatë shkollimit tuaj është objektivi i çdo praktike pune;

 

  • Praktikat e punës identifikojnë mundësi potenciale profesionale. Duke treguar vëmendje ndaj punës së një institucioni nga brenda, ju mund të zbuloni pozicione që mund t’ju interesojnë juve specifikisht, si dhe të vini në jetë planet për të arritur atë pozicion;

 

  • Testi që i bën karrierës praktika e punës. Supozoni që po studioni “Inxhinieri Ndërtimi”, por keni një dyshim se mund të jeni më i mirë në gjenetikë. Një praktikë pune ju lejon të testoni dyshimet tuaja në gjenetikë.  Asgjë nuk ja kalon orientimit të karrierës, që ju ofron praktika e punës në rast vendimmarrjeje për të ardhmen;

 

  • Zhvillimi i jetëshkrimeve me anë të praktikave të punës. Praktikat e punës gjithmonë i shtojnë ngjyra jetëshkrimit tuaj. Ato i demonstrojnë punëdhënësve potencialë që ju keni fokus, përkushtimin dhe përvojën tuaj profesionale. Praktikat e punës tregojnë gjithashtu se i njihni mirë objektivat tuaja dhe jeni konsultuar me burimet e duhura për t’i gjetur mundësitë drejt zhvillimit të tyre;

 

  • Praktikat e punës promovojnë kontaktet. Në çdo praktikë pune ju keni mundësinë të krijoni kontakte me njerëz, të cilët kanë mundësi t’ju asistojnë drejt punësimit në të ardhmen. Njerëzit të cilët kontaktoni gjatë praktikës së punës mund t’ju rrisin dijet për karrierën dhe t’ju japin referenca të mira për punë në të ardhmen.

 

  • Praktikat e punës shtojnë mundësitë e punësimit pas diplomimit. Një studim nga “National Association of Colleges and Employers” zbuloi se 35% e 624 institucioneve të studiuara i shikonte praktikantët si mundësinë e parë për t’i punësuar në plan afat-gjatë. Institucionet e vlerësojnë gjithnjë një punonjës, i cili ka informacion mbi institucionin përpara punësimit me kohë të plotë;

 

  • Praktikat e punës lehtësojnë tranzicionin nga universiteti në tregun e punës. Për shumë të diplomuar, kalimi nga studentë në të punësuar nuk është një trajektore e lehtë. Njohja e jetës pas-universitare, çfarë presin punëdhënësit si kontribut prej jush dhe si pritet të performoni në punë, e bën tranzicionin më të lehtë;

 

  • Praktikat e punës ju mundësojnë të zhvilloni aftësi të transferueshme. Në revolucionin e biznesit që ka përfshirë botën tonë, cilësitë kryesore për një karrierë të suksesshme janë aftësitë. Fokusohuni në akumulimin e aftësive të transferueshme që qëndrojnë mes profesionesh dhe funksionesh të ndryshme. Përgjatë praktikës së punës, ju fitoni aftësi, të cilat mund t’i përdorni në vazhdim;

 

  • Praktikat e punës ju lejojnë të përmirësoni aftësitë tuaja sociale. Mbijetesa në botën e punës përfshin më tepër sesa dijet e përfituara, përmes librave. Lind e nevojshme që të pajiseni edhe me aftësi sociale, përfshirë këtu punën në grup dhe të dish se kur të flasësh apo kur të heshtësh. A keni ndonjë ide se si  mund të zgjidhni një konflikt kur njohuritë tuaja mbi një tematikë të caktuar janë më bashkëkohore se ato të eprorit tuaj? A dini çfarë të bëni kur një koleg i juaji i painformuar bëhet i paarsyeshëm? Praktikat e punës mund t’ju mësojnë hap pas hapi se si të fitoni aftësi sociale në punë.