Përditësimi i jetëshkrimit

Është e rëndësishme ta mbani jetëshkrimin të përditësuar dhe koherent – nuk e dini kurrë se kur mund t’ju kërkohet që të dërgoni një kopje. Çdo përvojë pune që keni, duhet ta referoni në jetëshkrim, përfshirë këtu edhe praktikat e punës. Shkruani mundësitë dhe detyrat që ju janë besuar, ndërkohë që i keni akoma të freskëta në memorien tuaj. Punëdhënësit pyesin shpesh për praktika pune të kaluara, kur kërkojnë punonjës të rinj. Sigurohuni të përfshini në jetëshkrimin tuaj përvojën e praktikës, si një vlerë e shtuar në karrierën tuaj të saponisur.

Zhvilloni një portofol

Një portofol është një mjet marketingu, të cilin ju e krijoni dhe që mund t’ju ndihmojë në kërkimin e punës. Elementët që mund të përfshihen në portofol janë kopje ose përmbledhje e projekteve të realizuara nga ju dhe letra rekomandimi nga eprorët. Portofoli juaj mund t’ju shoqërojë në intervista të ardhshme dhe mund të përdoret si referencë, ndërsa flisni për përvojat, që keni patur si praktikant.

Përgatituni për intervista

Punëdhënësit i bazojnë vendimet e tyre të punësimit në besimin se sjellja dhe performanca e kaluar parashikojnë sjelljen dhe performancën në të ardhmen. Të kryerit e një praktike pune do t’ju mundësojë shembuj thelbësorë të dijes, aftësive dhe aplikimit të tyre në jetën profesionale. Përgatituni që të ndani me punëmarrësin përvojën tuaj të praktikës së punës, të artikuluar qartësisht.